
Pagesat bankare u rritën me 24 për qind në gjysmën e parë të vitit
Shqiptarët kryen gati 28 milionë pagesa bankare në gjashtëmujorin e parë 2025, 24% më shumë se një vit më parë.
Përdorimi i kanaleve bankare të pagesave nga shqiptarët u rrit më tej në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin e parë 2025 individët dhe bizneset kanë kryer pothuajse 28 milionë pagesa në rrugë bankare, në rritje me 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, vlera totale e transaksioneve arriti në 3.5 trilionë lekë , në rritje me 13% në raport me 6-mujorin e parë të vitit 2024.
Në numër veprimesh, peshën kryesore në veprimet bankare të shqiptarëve vazhdojnë ta zënë pagesat me karta, me rreth 67% të totalit.
Veprimet me kartë ende dominohen nga tërheqjet e parasë cash nga bankomatet, por pagesat me kartë në terminalet POS po rriten me ritme të shpejta në vitet e fundit.
Në gjashtë muajt e parë të vitit u regjistruan gjithsej rreth 12.57 milionë pagesa me kartë në terminalet elektronike të shitjes (POS). Numri i pagesave me kartë është rritur me 42% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në mesin e vitit 2025 numri i kartave aktive arriti në 1.57 milionë, në rritje me 6% krahasuar me një vit më parë.
Grupi i dytë më i madh brenda pagesave në rrugë bankare janë transfertat e kreditimit të nisura nga klientët. Këto përfshijnë pagesat e nisura nga klientët në degët e bankave ose nëpërmjet kanaleve bankare në distancë, kryesisht internet banking.
Klientët e sektorit bankar kryen gjithsej 8.2 milionë transferta kreditimit (pagesa) nga llogaritë e tyre. Këtë vit po theksohet më tej dominimi i transfertave bankare po dominohen nga veprimet në kanalet e elektronike. Rreth 64% e numrit total të këtyre veprimeve u kryen në formë jo-letër, nëpërmjet kanaleve elektronike.
Një pjesë më të vogël në strukturën e pagesave bankare zënë veprimet e debitimit direkt, pagesat me para elektronike dhe çeqet.
Rritja e numrit të veprimeve të kryera nëpërmjet kanaleve bankare është e lidhur me zgjerimin e aktivitetit ekonomik, por në një masë të madhe edhe me uljen e veprimeve të kryera në para fizike, duke i zëvendësuar ato me pagesa bankare. Ky është një parakusht i rëndësishëm për uljen e nivelit të informalitetit në ekonomi.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri total i llogarive bankare në fund të vitit të kaluar arriti në më shumë se 3.45 milionë, me një rritje prej 6.7% krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit të kaluar, numri i llogarive në sektorin bankar është zgjeruar me më shumë se 218 mijë të tilla.
Numri i llogarive bankare në Shqipëri kishte arritur numrin më të lartë në vitin 2016, me pothuajse 3.5 milionë. Në periudhën 2016-2020, numri i tyre pati pësuar rënie të vazhdueshme, sidomos për shkak të uljes së numrit të bankave si rezultat i procesit të konsolidimit të sektorit.
Megjithatë, pas vitit 2021 po shënohet një tendencë e re në rritje dhe tashmë numri i llogarive bankare është shumë afër nivelit më të lartë historik, të vitit 2016. /Monitor(https://monitor.al/pagesat-bankare-u-rriten-me-24-ne-gjysmen-e-pare-te-vitit/)
Më të lexuarat








